FSHF ka bërë me dije se të hënën, trajneri Sylvinho do të prezantojë listën paraprake të lojtarëve që do të grumbullojë në kuadër të dy miqësoreve dhe Euro 2024. Dilemat më të mëdha lidhen me sulmin e skuadrës kuqezi ku edhe konkurrenca është po kaq e madhe. Uzuni prej disa kohësh në formë jo të mirë ashtu si edhe Armand Broja i fotografuar në Tiranë ku mesa duket ka nisur stërvitjen në ambjentet e Shtëpisë së Futbollit, nuk rrezikojnë ndërsa Asani dhe Seferi, dy nga heronjtë e fazës eleminatore janë gjithashtu në planet e trajnerit brazilian. E gjithë beteja do të bëhet mes Muçollit, Dakut, Manajt, Mujës dhe Hoxhës me këtë të fundit bashkë me lushnjarin dhe sulmiuesin e Ribin Kazan që duken në avantazh. “Luftë” do të ketë edhe për mesfushën ku nëse Asllani dhe Bajrami bashkë me Ramadanin do të nisen titullarë, nuk dihet ende kur do t’i mbështesë nga stoli pasi Gjasula dhe Bare po kalojnë një moment delikat. Gjithsesi, Sylvinho ka pasur kohën e duhur për të vlerësuar çdo aspekt dhe është e sigurt që lojtarët të cilët ka vendosur në listë, do të jenë ata që momentalisht gëzojnë formën më të mirë.
sfidanti.al