Liga e Europës, Interi fiton, por eleminohet mes kontestimeve!

Tribuna e Veriut ishte bosh. “Kështjella” e tifozëve më besnikë (dhe më të rrezikshëm) të Interit në “San Siro” nuk kishte njeri për ta “mbrojtur”, ndërsa zikaltërit i dhanë fund me fitore, por me eleminim sezonit në Ligën e Europës. Në një ndeshje pa vlerë konkurrimi, milanezët kaluan në epërsi me anë të Ederit, por u barazuan nga goli i Spartës së Pragës, shënuar nga Lukas Mareçek. Më pas, humbja ishte fare pranë, por për fat portieri rezervë priti penalltinë e gjuajtur nga Borek Doçkal, ndërsa Eder siguroi fitoren në sekondat e fundit. Pavarësisht kësaj, interistët dolën të fundit në grup, ndërsa të kualifikuar ishin Sparta e Pragës dhe Sauthemptoni nga Anglia, që barazoi 1-1 në fushën e vet ndaj Hapoelit të Ber Shevës.
Kalojnë turin edhe Shalke me Krasnodarin në grupin I. Skuadra ruse u mund 1-2 në Francë, me kryesuesin e kampionatit Nisën, por nuk rrezikoi asgjë. Shalke, po ashtu, pësoi disfatë 0-2 në Austri me Salcburgun e fortë, por gjithashtu kaloi në turin e dytë. Në grupin G, Ajaksi nuk pati nevojë për asgjë, por gjithsesi siguroi një pikë në Belgjikë ndaj Standardit të Liezhit. El Gazi shënoi për miqtë dhe Benito Raman barazoi për vendasit 5 minuta para fundit, por Standardi u eleminua. Turin e kaloi Selta që fitoi 2-0 në fushën e Panathinaikosit, me golat e Guidetit dhe Orejanës me penallti.