Vendimi i trajnerit të Polonisë për t’i hequr shiritin e kapitenit Robert Lewandowski pas 11 vitesh u prit me festë në dhomën e zhveshjes: “lojtarët po festojnë”, ishte mesazhi që mori një gazetar polak nga dikush që ndodhej i pranishëm në atë moment. Një veprim, ai i trajnerit Michal Probierz, që e shtyu sulmuesin 36-vjeçar të Barcelonës të njoftonte se nuk do të luajë më me kombëtaren për sa kohë ai do të jetë në pankinë. Është e qartë që shokët e skuadrës nuk ishin edhe aq të kënaqur me mënyrën se si Lewandowski ushtronte udhëheqjen e tij, e cila përbëhej kryesisht nga kritika të ashpra ndaj tyre: përçarja përfundimtare kishte ndodhur pas ndeshjes së marsit kundër Maltës. Pas një tjetër fitoreje me vështirësi (2-0 në shtëpi), ish-kapiteni kishte hyrë me forcë në dhomën e zhveshjes dhe kishte qortuar stafin teknik bashkë me lojtarët. Mesazhi, i shprehur më pas edhe për televizionet, ishte i njëjtë: kështu nuk shkojmë askund. Vendimi për t’i dhënë shiritin Piotr Zielinski u prit gjithashtu me duartrokitje, një sinjal tjetër që skuadra e ka braktisur golashënuesin rekordmen të kombëtares (84 gola në 157 ndeshje). Pas lamtumirës ndaj Polonisë, bërë përmes rrjeteve sociale – “për sa kohë ai do të jetë trajner” – Lewandowski më pas e shpjegoi me detaje vendimin për të lënë kombëtaren në një intervistë për një gazetë polake: “Kam marrë një telefonatë të papritur nga trajneri Michal Probierz, i cili më informoi se kishte vendosur të ma hiqte shiritin. Nuk isha aspak i përgatitur, po përpiqesha të vija në gjumë fëmijët e mi. Nuk pata as kohë t’i informoja familjarët apo të flisja me dikë për atë që ndodhi, sepse vetëm pak çaste më vonë u shfaq një mesazh në faqen e Federatës së Futbollit. Mënyra se si m’u komunikua kjo gjë më befasoi vërtet. Më dukej se çështje të tilla duhej të trajtoheshin ndryshe. Gjithçka u komunikua në telefon, nuk duhej të kishte ndodhur kështu. Trajneri e tradhtoi besimin tim”.
sfidanti.al