Lamtumirë Diego, sa e shkurtër jeta jote, por sa e pafundme lavdia!

Dikur 60 vjeç mund të ishe i vjetër, por sot je krejtësisht i ri. Gjithsesi, abuzimi me veten mund të të vrasë përpara kohe, por as kjo sjellje barbare me trupin nuk mund ta zhdukë kujtimin e një personaliteti të madh. Diego Armando Maradona u nda sot prej nesh, duke hidhëruar një botë të tërë e duke u shuar në moshën 60-vjeçare, por duke i vënë vulën legjendës së tij që do të rritet sa më shumë të kalojnë kohët. Njeriu i rritur si mos më keq në rrugët e pista të Argjentinës, pushtoi botën e futbollit, por jo vetëm me talentin e tij, sepse arma e tij e pathyeshme ishte karakteri i jashtëzakonshëm kaq i veçantë mes njerëzish.

Një njeri i paditur nga kulturat dhe shkencat e shumta të kësaj bote, por kaq inteligjent dhe i përkushtuar për njerëzit e tij, qofshin këta shokë skuadre, tifozë apo populli i tij. Maradona ishte padyshim njeriu që mishëronte më shumë se të gjithë figura të tilla legjendare si Spartakun, Prometeun apo Robin Hudin, një personazh vërtet kaq konfliktues, kaq arrogant e i pasjellshëm hera-herës, por gjithnjë tepër i dashur nga të gjithë, madje fshehtas edhe nga armiqtë e tij. E deshën edhe anglezët, të cilëve u shënoi golin me dorë në 1986, edhe brazilianët e uruguajanët që luajtën derbi kombëtaresh ndaj Argjentinës së tij, edhe juventinët, milanistët apo interistët, që i bëri me zemër sa ishte në fushë, ashtu si edhe bavarezët për humbjen që u shkaktoi në 1989 në Europë.

Maradona vlerësohet ndoshta si më i madhi futbollist që ka parë bota, jo për golat e tij, por për forcën që transmetonte në fushë, për faktin se ishte një kapiten i papërsëritshëm, se “ushtarët” e tij shkonin në luftë krejt pa frikë kur ishin me të, ashtu si ushtarët arbër shkonin me Skënderbeun, maqedonasit e vjetër me Aleksandrin apo francezët me Napoleonin. Dhimbja është e madhe për këtë humbje, mallëngjimi po ashtu për atë që përfaqësoi, ndërsa kujtimi i tij do të jetë po aq i madh sa ai i kampionëve të çdo fushë e të çdo kohe, që nga heronjtë e popujve, yjet e shkëncës apo shenjtorët.

Sfidanti.al