Herën e parë u largua kur nuk kishin kaluar mirë as pesë ditë nga finalja e fituar e Championsit në Kiev ndaj Liverpulit. Nuk jemi në vitin 2018, Reali i Zidanit sapo ka fituar titullin, por trajneri francez qenka mësuar që të nxjerrë fjalë tronditëse nga goja menjëherë pas sukseseve të mëdha. “Unë kam një kontratë, – u shpreh ai, kur u pyet sesi do të jetë e ardhmja, – unë dëshiroj të vazhdoj këtu, por kurrë nuk mund ta parashikojmë se çfarë mund të ndodhë në futboll. Në këtë sport, gjithçka ndryshon nga dita në ditë, pra nuk e di sesi do të jetë e ardhmja”.
Këto fjalë nuk janë deklarim që do të largohet, as kërcënim se diçka nuk po i pëlqen, por thjesht mënyra e drejtpërdrejtë e të folurit e një personaliteti të futbollit, nga ata që bezdiset nga fjalët “stampë”, dhe që thotë shpesh herë “troç” atë që mendon, siç veproi “troç” në finalen e Botërorit 2006 ndaj Italisë, duke goditur me kokë Materacin. Ah, meqë ra fjala për të ardhmen, mediat italiane nisën menjëherë të shkruajnë se tifozët juventinë janë lumturuar nga fjalët e Zidanit, duke e përfytyruar si pasardhësin e Sarrit në stolin e “Zonjës së Vjetër”.
Sfidanti.al