Është një lojtar që njihet për natyrën e tij të veçantë, dhe vështirë të jetë ndryshe. Granit Xhaka është një djalosh krenar për origjinën e tij shqiptare nga Kosova, po ashtu i vendosur të japë gjithçka për Zvicrën, vendin ku ai u rrit dhe u bë futbollist, e gjithashtu kërkon të shkëlqejë në ekipet e klubeve ku bën pjesë. Ndoshta jo një nga mesfushorët më të mirë të botës, por aspak për t’u hedhur poshtë, dhe me një karakter dhe ambicie që vlen për më të mirët. Xhaka ka pasur probleme me tifozët e Arsenalit, sepse nuk i ka duruar kritikat e tyre duke iu kundërvënë hapur në fushë. Për këtë iu hoq shiriti i kapitenit, por shqiptari i Zvicrës nuk është dorëzuar. “Unë jam i vendosur që t’i bëj për vete tifozët e Arsenalit, – tha ai, – unë dua që të kem marrëdhënie më të mira me tifozët jashtë fushe, dua të jem më pranë tyre, pasi ne kurrë nuk i takojmë ata. Ata thjesht na shohin për 90 minuta në fushë dhe pastaj mirupafshim. Ata nuk na njohin, nuk i dinë problemet tona, ndaj duhet të jemi më pranë. Nëse kjo ndodh, jam i bindur se do të më kuptojnë”.
Sfidanti.al