Është Napoli gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Italisë. Skuadra jugore kaloi me shumë zor Fiorentinën në “San Paolo”, me një fitore “të vogël” 1-0, falë një goli të spanjollit Hoze Maria Kajehon në minutën e 71-të. Në një përballje kur skuadra “vjollcë” arriti të gjuante më shumë brenda kuadratit të portës sesa napolitanët, këta të fundit ishin më praktikë, ose ndoshta edhe me më shumë fat. Në minutën e fundit, Elseid Hysaj u përjashtua me karton të kuq, pasi mori të verdhën e dytë, por pas tij doli jashtë edhe Maksimiliano Olivera i Fiorentinës, dhe forcat në fushë u barazuan. Napoli tani pret se kush do të kualifikohet në supersfidën Juventus-Milan për të mësuar kundërshtarin në gjysmëfinale.