Kupa e Botës, Figo cakton favoritët

Botërori 2026 ka tashmë grupet e tij zyrtare dhe ka sjellë menjëherë reagime nga emra të mëdhenj të futbollit. Një prej tyre, Luís Figo, ka komentuar shortin, duke vlerësuar veçanërisht shanset e Spanjës dhe Portugalinë në këtë edicion historik.

Spanja është vendosur në Grupin H, pikërisht si në Botërorin 2010, rastësi që ka ngjallur optimizëm të natyrshëm te tifozët. Figo, megjithatë, e sheh këtë si diçka më shumë sesa thjesht fat:

“Spanja është padyshim një nga favoritët kryesorë për të shkuar shumë larg,” – u shpreh ai, duke theksuar se ekipi është i balancuar dhe i aftë për të luftuar deri në fund.

Ish-ylli portugez vuri në dukje edhe një skenar interesant të fazës me eliminim direkt. Nëse Spanja dhe Portugalia arrijnë të kryesojnë grupet e tyre, atëherë dy kombëtaret iberike mund të takohen vetëm në një finale të mundshme. Por Figo nënvizoi se Portugalia nuk e sheh këtë si një hakmarrje të vitit 2010, kur Spanja e eliminoi në 1/16-at.

“Janë kohë dhe ekipe të tjera. Objektivi i Portugalisë është të shkojë në finale dhe të ngrejë trofeun,” u shpreh ai.

Sa u përket favoritëve, Figo përmendi katër emrat më të fortë sipas tij:

Brazili, Argjentina, Portugalia dhe Spanja.

Ai kujtoi se shorti është vetëm hapi i parë dhe se për të fituar Kupën e Botës duhet të mposhtësh cilindo kundërshtar që del përpara.

Sipas parashikimeve të kompanive të basteve, Spanja vlerësohet me kuotën 5.0 për të triumfuar në Botërorin 2026, një shenjë e qartë e forcës së skuadrës.

Ndërkohë, Botërori mund të rezervojë edhe një duel historik: një përballje mes Portugalisë dhe Argjentinës në çerekfinale, çka mund të jetë përballja e fundit Messi–Ronaldo në një Kupë Bote. Një skenar që do të elektrizonte gjithë planetin e futbollit.