Ronaldo drejt kinemasë

Vin Diesel ka ngritur peshë botën e kinemasë dhe futbollit me deklaratën e tij më të fundit. Aktori amerikan publikoi një foto në rrjetet sociale krah Cristiano Ronaldos dhe në mbishkrim bëri një zbulim të papritur: ai ka shkruar një rol për CR7.

“Të gjithë më pyesin nëse Ronaldo do të bëhet pjesë e mitologjisë së Fast. Duhet të them se ai është një i madh. Kemi shkruar një rol për të në Los Bandoleros”, u shpreh Diesel.

Los Bandoleros është një film i shkurtër i vitit 2009, i shkruar dhe drejtuar nga vetë aktori dhe që shërben si pjesa e dytë narrative e filmit Fast & Furious (2009).

Ky zhvillim ka ndezur menjëherë spekulimet se Ronaldo mund të shfaqet në universin e famshëm të aksionit, në një moment kur vetë Diesel pritet të rikthehet te projekti Los Bandoleros, sidomos pasi prodhimi i Fast & Furious 11 është shtyrë për shkak të grevës së aktorëve në Hollywood.

Ronaldo nuk do të ishte futbollisti i parë që shfaqet në një film të aktorit amerikan: Neymar Jr pati një rol të shkurtër në xXx: Return of Xander Cage (2017), ku luanin gjithashtu Donnie Yen, Deepika Padukone dhe Samuel L. Jackson.

Për momentin, mbetet mister nëse CR7 do të jetë realisht pjesë e projektit të ri. Por një gjë është e sigurt: një bashkëpunim mes Ronaldos dhe Vin Diesel do të përbënte një ngjarje të madhe, që do të tërhiqte vëmendjen e miliona fansave në mbarë botën.

sfidanti.al