Kthehen në Brazil lojtarët e mbijetuar të tragjedisë së Çapekoenses!

Dy lojtarë të Çapekoenses, që i mbijetuan aksidentit tragjik ajror të muajit të kaluar, u zhvendosën nga Kolumbia në Brazil. Portieri Xhekson Folman dhe mbrojtësi Alan Rushel u transportuan veç e veç dhe në qytete të ndryshme, i pari në Sao Paulo, ndërsa i dyti në Çapeko. Folman duhet të bëjë operacion në shpinë, ndërsa Rushel është në gjendje më të mirë, ndonëse sërish u shtrua në spital në qytetin ku ndodhet selia e skuadrës së tij. Gjithsesi, gjendja e mbrojtësit Neto, edhe ai i mbijetuar, është e rëndë, ndonëse doli nga koma. Netos iu tha vetëm tani vonë tragjedia që i ndodhi skuadrës, ku humbën jetën 19 lojtarë. Portieri Folman nuk shpëtoi edhe aq mirë, pasi iu pre pjesërisht një këmbë e dëmtuar rëndë, por është mirë për të bërë pa rrezik operacionin në shpinë. Edhe gazetari Rafael Henzel, i mbijetuari tjetër, u transportua për në Brazil.