Kampionati anglez mbetet shumë interesant, edhe pse kryesuesja ka nisur një minishkëputje. Çelsi arriti në kuotën e 40 pikëve pas fitores minimale në fushën e Sandërlendit, duke u larguar 6 pikë nga ndjekësit më të afërt. Londinezët e trajnerit Konte ia dolën falë një goli të Sesk Fabregasit në minutën e 40-të, dhe ndeshja përfundoi 1-0. Fituan edhe pretendentët e tjerë, madje edhe ata që janë larg majës së tabelës. Liverpuli mbërriti Arsenalin në vendin e dytë, madje është ai pas Çelsit për shkak golaverazhi. “Redsat” e Jurgen Klopit triumfuan 3-0 në fushën e Midëllsbrout, duke lënë pas një periudhë të vështirë me një humbje e një barazim. Adam Lalana, Divok Origi dhe sërish Adam Lalana bënë të mos ndihej këtë herë mungesa e Kutinjos. Liverpuli ka 34 pikë, dhe ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër, 40.
Tek fitoret u kthye edhe Pep Guardiola. Mançester Siti e shfrytëzoi epërsinë e fushës së tij duke mundur 2-0 Uatfordin. Në një ndeshje jo shumë të lehtë, Pablo Zabaleta dhe David Silva shënuan, me Kun Agueron që mbetet i pezulluar. Siti ka 33 pikë. Sukses, edhe pse shumë i vështirë, edhe për Mançester Junajtidin. Në “Selhërst Park”, Pol Pogba shënoi në portën e vendasve të Kristal Palasit, që barazuan pas pushimit me golin e Mekarturit. Fitorja në Londër u arrit nga Zllatan Ibrahimoviç që shënoi në 88′. Junajtid, gjithsesi është larg kreut, me 27 pikë, duke qenë edhe prapa Totenhemit (30 pikë) që mundi 3-1 Hull Sitin.