Kroacia e versionit Real-Barça, shumë e fortë për Nigerinë!

Kroacia e di atë që bën. Ky ishte titulli i njërës prej gazetave të Spanjës, pasi yjet e La Ligës apo Serisë A nuk diskutuan fitoren ndaj Nigerisë. Ballkani e pati më shumë se dinjitoz përfaqësuesin e parë në këtë Kupë të Botës, ndërsa është në pritje të Serbisë.

Formacioni kroat, i drejtuar nga ish-trajneri i Dinamos sonë, Zllatko Daliç, pati epërsi të thellë ndaj afrikanëve të rinj, duke mos bërë thuajse asnjë gabim. Përfituan nga një autogol dhe nga një penallti ekzektuar saktë nga madrileni Luka Modriç. Pikërisht Modriç ishte në regji, me Rakitiçin e Perishiçin në krah, si dhe me lojtarët ofensivë si Manxhukiç, Kramariç e Rebiç.

Kroatët kontrolluan ndeshjen, duke treguar më tepër pjekuri se dikur. Ata shfrytëzuan jo vetëm talentin, por edhe përvojën e yjeve që luajnë tek Reali, Barcelona, Liverpuli, Juventusi apo Interi. Edhe futbollistët e tjerë ballkanas luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, Serinë A, në Ligën e parë franceze, në Rusi apo Ukrainë.

Sa larg mund të shkojë kjo skuadër? Vështirë ta parashikosh, por me shumë gjasa do të ecë përpara dhe do të jetë rrezik për çdo kundërshtar, qoftë ky Franca apo Danimarka.  Kurrë më parë, kroatët nuk kanë pasur një ekip kaq të talentuar, dhe shpresojnë që të kalojnë fazën e grupeve, siç nuk bënë në 2014 apo 2002, ndërsa ëndrra e madhe është përsëritja e Botërorit të vitit 1998 ku doli në vend të tretë.

Kroacia është e para në grupin C me 3 pikë, mbi Argjentinën e Islandën që kanë nga 1, ndërsa Nigeria mbyll renditjen pa asnjë pikë.

Sfidanti.al