Kristof Daumi: Bundesliga i bën mirë imunitetit, pres të papritura!

Në karrierën si trajner ka fituar 9 trofe, nga të cilët 5 tituj kampion. Nuk arriti të bëhej një Udo Later, Vajsvajler, Oto Rehagel apo Otmar Hicfeld, por Kristof Daum është padyshim një nga teknikët e respektuar të futbollit gjerman, ndaj edhe pyetet për rifillimin e Bundesligës. Profesionisti që punon në “zanat” prej 31 vjetësh (3 vitet e fundit, jo), vlerëson se ndikim shumë të madh në kampionat do të ketë që ndeshjet do të luhen pa tifozë.

“E kam provuar në Turqi se çdo të thotë kjo, – shprehet 66-vjeçari, – Isha trajner i Fenerbahçes, dhe do luanim ndaj Kasëmpashait, pa tifozë për shkak të dënimit që na kishte dhënë federata. Normalisht, duhej të kishim fituar, por nuk dinim të luanim pa tifozë, ndaj edhe humbëm. Pres që Bundesliga të ketë të papritura, plus që skuadrat nuk janë stërvitur siç duhet”. Daumi thotë se rikthimi i futbollit do të ndikojë për mirë tek njerëzit, që do të kenë ç’të shikojnë e për çfarë të flasin, jo vetëm të dëgjojnë shifrat e koronavirusit. “Futbolli është kënaqësi që ndihmon sistemin imunitar të njeriut dhe kjo bën që sëmundjet të përballohen më mirë”, – shprehet Daumi që drejtoi në karrierë Këlnin, Shtutgartin,  Beshiktashin, Leverkusenin, sërish Beshiktashin, Austrinë e Vjenës, Fenerbahçen, Këlnin sërish, Fenerbahçen për së dyti, Frankfurtin, Klub Bryzhin, Bursasporin dhe kombëtaren e Rumanisë.

Sfidanti.al