Kristiano Ronaldo, a thua përfundoi Epoka e tij Madrilene?!

“Ishte shumë bukur të luaje për Realin e Madridit”. Këto ishin fjalët e mbrëmshme të Kristiano Ronaldos pikërisht në momentin kur nuk e priste askush. Një deklaratë ndarjeje që nuk i mungonte asgjë, dhe që për t’u bërë më bindëse, u pasurua me fjalinë shtesë se “në ditët e ardhshme do të them vendimin për të ardhmen time”.

A thua përfundoi Epoka Madrilene e CR7-ës, një nga periudhat më të lavdishme të ndonjë lojtari të “Los Blankosve”, që mund të errësohet vetëm nga ndonjë legjendë tjetër si Alfredo Di Stefano?! Të gjitha gjasat duken kështu, pasi kurrë më parë ndërsa bënte presion, Kristiano nuk tha se “ishte bukur të luaje për Realin”. Këto janë fjalë lamtumire dhe një emblemë e futbollit nuk mund t’i keqpërdorë.

Cilat janë arsyet që po e detyrojnë Ronaldon të zhveshë fanelën mitike “merenges”? Padyshim, mosha 33-vjeçare që e ka detyruar të mos jetë ai protagonisti absolut i skuadrës, pavarësisht 44 golave të shënuar këtë sezon. Shumë ndeshje në stol, një rol shumë më periferik në lojën e skuadrës, kjo është gjendja e sotme e tij.

Paratë janë padyshim një arsye tjetër e madhe, pasi Reali pak besohet t’i japë një rrogë të barabartë apo më të madhe se ajo që merr Mesi tek Barcelona. Atëherë, ku mund t’i marrë ato para? Ku tjetër përveçse tek Paris SG.

Së fundi është Nejmari. Presidenti Perez duket se e ka seriozisht blerjen e sulmuesit, për të cilin është gati të shpenzojë si kurrë më parë. “Dy gjela në një kafaz” nuk mund të rrinë dot, dhe Ronaldo e kupton se mosha e detyron të kapitullojë. Gjithsesi, le të presim ditët e ardhshme, për të mësuar vendimin e Topit të Artë.

Sfidanti.al