Nuk ka gjë më të rëndë sesa kur një emër i madh është i detyruar të kërkojë mëshirë. Këtë po bën Tirana, ndërsa çështja “Muzaka” rrezikon seriozisht ta kthejë në Kategorinë e Parë. Pasi u “sorollat” me muaj të tërë, duke mos dashur ta lexonte vendimin, i humbi vetes mundësinë për të paguar “butë”, dhe detyroi futbollistin të bënte ultimatum.
Histori e ngjashme me atë të dënimit nga FIFA për të mos bërë shitblerje në janar të vitit të kaluar, dhe kjo vetëm sepse nuk ishte treguar korrekte për të paguar 4 000 euro borxh nga një futbollisti (!!!). Klubi që shpenzon për rrogat 70 000 euro në muaj dënohet për shkak të 4 000 eurove.
Tirana është një nga klubet e vetëm në Shqipëri (nuk jam i sigurt për Vllazninë) që nuk mund të bëjë pagesa në numrin e saj të llogarisë për shkak se këto llogari i janë bllokuar nga përmbarimet kushedi sa herë, ndërsa paratë për lojtarët i jep nëpërmjet llogarisë së njërit prej lojtarëve. Hajde njësit guerril, hajde!
Çështjet gjyqësore janë kaq të shumta saqë nuk ka zyrë përmbarimi në kryeqytet që të mos ketë punë me klubin bardheblu. Tirana u privatizua me borxhe, të krijuara që në kohën kur u administrua nga Bashkia, dhe nuk po mundet të dalë prej tyre. Klubi është drejt falimentimit (thonë se ka falimentuar sepse ka dalë 3 herë me bilanc negativ), ndërsa ata që e sollën në këtë gjendje as nuk po e shohin derën e gjykatës. Hajde vend kandidat për në Bashkimin Europian, hajde!
Tirana po shet si “bono thesari” emrin e saj të madh prej 24 herë kampioneje të Shqipërisë, si ekipi i dytë më i vjetër në Shqipëri, dhe si një element i domosdoshëm i futbollit shqiptar. Gjithsesi, mund të vijë një moment që të mos ketë më çfarë të shesë, qoftë edhe duke hyrë në borxh te “kreditori” më i madh i topkëmbës në Shqipëri, FSHF-ja. Ky është modeli sesi nuk duhen privatizuar klubet në vendin tonë.
Sfidanti.al