Kosova përgatit “dhuratën” e radhës për trajnerin e ri

Franco Foda u emërua trajneri i ri i Kosovës në ditën e Pavarësisë. Tekniku gjerman firmosi deri në 2026 me FFK-në. Gjatë prezantimit 57-vjeçari u shfaq plot besim se Kosovën e presin ditë të bukura. “Është ditë e veçantë për njerëzit këtu në Kosovë, por edhe për mua. Jam shumë i lumtur që jam këtu në Kosovë. Jam optimist se do të jemi të suksesshëm bashkërisht. Do të jetoj në Prishtinë, pasi ka lojtarë interesantë në Superligë si Dellova apo Krasniqi. Do të udhëtoj edhe jashtë vendit për të parë futbollistët e tjerë të Kosovës. Megjithatë, fillimisht duhet të njihem nga afër me lojtarët. Dhe të përgatitemi për ndeshjet e muajit mars”, u shpreh Foda. Trajneri foli fjalë të bukura edhe për Elvis Rexhbecajn, mesfushorin e Augsburgut në Bundesliga, për të cilin tha se e pëlqen si futbollist. Ndërkohë që Agim Ademi, presidenti i FFK-së, zbuloi se 26-vjeçari ka nisur proceduarat e marrjes së pasaportës së Kosovës. Dhe së shpejti pritet të jetë nën urdhrat e Fodës. Por jo vetëm. Gazetari i SuperSport Kosova, Florim Canolli theksoi në emisionin “Analizë Kuqezi” se po bisedohet edhe me Diant Ramajn. 22-vjeçari i lindur në Stuttgart, është pjesë e Ajaxit në Eredivisie. Dhe në të ardhmen pritet të mbrojë edhe portën e përfaqësueses së Kosovës. “Prindërit e mi kanë lindur në Kosovë, por ata emigruan në Gjermanisë për shkak të luftës me Serbinë. Lanë gjithçka pas dhe përfunduan pa asgjë në një shtet të ri. Historia dhe karakteri i tyre më kanë formuar dhe më kanë bërë ky që jam sot. Unë kurrë nuk e harroj se nga vij”, u shpreh kohë më parë Ramaj.

sfidanti.al