Kosova paguan “taksën” e mospërvojës, barazim që rrezikon në Ishujt Faroe!

Nuk mjaftoi ky gol i shkëlqyer. Kosova tregoi gjithë mungesën e përvojës duke barazuar një ndeshje të lehtë në letër, por të vështirë praktikisht në fushë. Ishujt Faroe morën një barazim të merituar 1-1 dhe teorikisht kanë shpresa për kualifikim në grupin 3, të nivelit D të Ligës së Kombeve.

Golit të Rashicës që në minutën e 9-të, vendasit iu përgjigjën me rrjetën e Rene Jënsenit me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 50-të. Të dyja skuadrat luftuan fort dhe iu afruan portave përkatëse, por duke mos arritur të shënonin gol tjetër.

Edhe pse rezultati 1-1 mund të quhet hap i gabuar i formacionit të trajnerit Bernar Shaland, sërish nuk është për t’u hedhur poshtë. Ishujt Faroe kishin barazuar 1-1 në fushën e Azerbajxhanit, pra nuk mund të thuhet se është ekip edhe aq i dobët, për më tepër, ka lënë prapa Maltën në renditje duke e mundur 3-1.

Në këtë grup, përfundoi në barazim 1-1 edhe ndeshja tjetër, ajo mes Azerbajxhanit e Maltës, dhe kryesimi i Kosovës nuk u rrezikua të paktën për momentin. Skuadra tjetër shqiptare ka 8 pikë pas 4 ndeshjeve, ndaj 6 të Azerbajxhanit, që është rivali më i afërt. Ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, Kosova do ta ketë në fushën e Maltës, në 17 nëntor.

Sfidanti.al