E kishte treguar edhe më parë, por po bind gjithnjë e më shumë. Kosova është një fuqi e re e futbollit kontinental, duke iu afruar mjaft kualifikimit për në finalet e Europianit. Skuadra tjetër shqiptare, më e reja në botë, nuk tregoi asnjë lloj kompleksi as ndaj Republikës Çeke me shumë traditë, duke e përmbysur në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, e duke u ngjitur në krye të grupit A.
Të besuarit e trajnerit Shaland nuk u tronditën as nga goli i shpejtë shënuar nga çekët, madje u përgjigjën menjëherë. Vedat Muriqi, sulmues i Fenerbahçes, ishte autori i rrjetës së barazimit, që i hapi rrugën më pas fitores. Duhet thënë se gjithçka ishte e merituar, dhe jo vetëm nga fakti që Vojvoda realizoi në mënyrë vendimtare në minutën e 66-të. Kosova ishte superiore dhe tregoi më shumë klas në fushën e lojës.
Jo më kot, në ekipin e saj përfaqësues ka lojtarë të kalibrit si portieri Muriqi, mbrojtësit Rrahmani e Vojvoda, mesfushorët Zhegrova, Muslija, Berisha e Celina, apo sulmuesi Muriqi. Kosova diti edhe që të vuajë për të përballuar përvojën më të madhe të kundërshtarit, duke sulmuar e duke u mbrojtur në bllok. Tashmë, ajo ka 8 pikë pas 4 ndeshjeve, me 7 gola të shënuar e vetëm 1 të pësuar, e duke mos provuar shijen e humbjes në një grup me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë apo Malin e Zi.
Sfidanti.al