Kosova është vetëm Ujkani, asgjë të re në Antalia

Kosova ka pësuar një tjetër humbje në eleminatoret e para ku merr pjesë, këtë rradhë 2-0 nga Turqia. Vendasit kishin organizuar një dekor të shkëlqyer, duke e vlerësuar maksimalisht këtë takim, pasi edhe skuadra e tyre kishte nevojë më shumë se kurrë për mbështetje. Turqit kanë marrë fitoren e parë, ndërkohë që duhet thënë, se e kanë dominuar totalisht takimin. E filluan me një shtyllë të Mehmet Topall, më pas është Volkan Shen, Burak Illmaz, apo Çalhanoglu më shumë se një herë, që kërcënuan portën e përfaqësueses së Kosovës. Por gjithsesi, dëshira e madhe për t’u zhbllokuar i la mundësi miqëve t’i godisnin me kundërsulm dhe mund të arrinin tek goli përpara turqve, nëse pas një pasimi të saktë të Rashicës, Valon Berisha do të ishte më me fat dhe nuk do ta përplaste topin në shtyllë.

Ndërsa në pjesën e dytë nuk ka më histori, sepse nuk do të ishte edhe e llogjikshme që skuadra e Bunjakit të vazhdonte të shpresonte vetëm tek mrekullitë e Ujkanit. Malli është shumë i freskët për futbollitët e konsumuar të Kosovës dhe në të 50’ dërgon një asist për Burak Illmaz, që tashmë nuk gabon dhe 1-0. Ndërsa pesë minuta më pas është po Illmaz që godet, por topi përplaset në traversë, ndërsa Volkan Shen e drejton sërish për në rrjetë. Kosova nuk reagon, duke koleksionuar 12 gola të pësuar në katër takime të luajtura, ndërsa si për çudi, trajneri Bunjaki e nisi dhe e përfundoi takimin me të njëjtin formacion, duke mos preferuar të bëj asnjë zëvendësim.