Deviza e tij në intervistën e parë ishte që kërkonte një ekip të fortë, stabël, pa ulje-ngritje. Në ndeshjen e parë në drejtimin e Totenhemit, Antonio Konte përjetoi pikërisht atë që nuk deshi ta provonte, por që duket se ishte e pashmangshme. Spërsat arritën shpejt në 3-0, por po aq shpejt shkuan në 3-2 dhe mbetën me 10 vetë. Për fat, Viteshe pati 2 kartonë të kuq dhe Totenhemi nuk u bë më shumë “spërsi” sesa kaq. Konte, që u prit si hero nga tifozët, e ndjeu gjatë gjithë kohës pasigurinë e skuadrës së tij dhe pamja e tij ishte thuajse e njëjta, me duart të kryqëzuara, herë me dorën në fytyrë dhe i menduar, në këmbë në zonën e tij anash fushës. Italiani e dinte se nuk mund ta ndryshonte ekipin e tij në pak orë stërvitjeje, ndërsa nuk pati zgjedhje tjetër përveçse të hidhte në fushë titullarët, për të mos pasur ndonjë “shaka”. Pavarësisht vështirësive, mediat angleze shkruajnë se “do të ishte gabim të vihej bast që Konte nuk do ta gjejë përgjigjen e duhur”.
Sfidanti.al