Në skuadër sikur është kthyer pak qetësia, por kjo duket se po ndodh vetëm në sipërfaqe. Roma e Zhoze Murinjos duket këto javë si një makinë difektoze, që nuk arrin të ndërrojë marshet dhe të ecë lirshëm. Ndaj Bodo Glimtit në Ligën e Konferencës pati një tjetër zhgënjim, barazim 2-2 në “Olimpiko”, me Murinjon që pati të drejtë që u ankua për arbitrin grek. “Ai mund të kthehet i qetë në Greqi, por po me ne si i bëhet?” – tha portugezi. Mediat italiane shkruajnë se verdhekuqve mund t’u jepeshin dy penallti në pjesën e dytë, në 48’ e 74’ për prekje të topit me dorë në zonë, por VAR nuk pati dhe arbitri nuk i dalloi. Gjithsesi, ndonëse pati të drejtë për penalltitë, Murinjos duhet të gjejë përse Roma e tij nuk ka një lojë, aq sa në pjesën e parë nuk pati asnjë gjuajtje në kuadrat. “Roma duket se ndodhet në një moçal nga i cili nuk po mundet të dalë”, shkruan “La Gazeta delo Sport”, dhe kjo ndonëse në fushë ishin titullarët.
Sfidanti.al