Konte dhe Murinjo, dy fytyra të ndryshme me të njëjtin hall!

Ra shumë në sy mosdhënia e dorës nga Antonio Konte për Zhoze Murinjon në përfundim të ndeshjes së “Stemford Brixhit”. Pavarësisht se kush fitoi dhe kush humbi, asnjëri prej tyre nuk mund të jetë plotësisht i lumtur, i kënaqur apo i qetë. Të dy rrezikojnë ta humbasin vendin e punës, ndonëse i pari në “vijën e zjarrit” është italiani, duke ditur mentalitetin e Roman Abramoviçit tek Çelsi.

“Rituali nuk është shumë i rëndësishëm në fund të ndeshjes”, – tha me nënvleftësim Konte për mediat, pasi u ngacmua për mosdhënien e dorës. Në të vërtetë, ai ka halle të tjera, por kjo nuk do të thotë se nuk di të reagojë ndaj Murinjos, të cilin me siguri e quan “provokator”. Gjithsesi, duhen apo urrehen, Konte dhe Murinjo janë në një “barkë”. Mançester Siti nuk po e ul ritmin dhe tani Mançester Junajtid është 8 pikë prapa, me Çelsin që është 9. Në klube të tillë, rëndësi ka vetëm fitimi i trofeve, jo sesa pikë ishte prapa vendit të parë, dhe nëse dole i dyti apo i treti.

Konte mund të provojë tek Çelsi, po ashtu, të njëjtat probleme si Murinjo. Portugezi pati ftohje me lojtarë dhe kjo po i ndodh italianit me David Luizin, pasi i ndodhi me Diego Kostën. Luiz u la në tribunë, titullar luajti 22-vjeçari Kristensen, ndërsa rezervë e vetme në stol për mbrojtjen ishte 17-vjeçari Ampadu. “David Luiz duhet të punojë fort, si shokët, ndryshe do të rrezikojë të rrijë për një kohë të gjatë në stol apo në tribunë”, – tha shkurt Konte. Të shohim kush do ta fitojë këtë betejë, trajneri apo lojtari.

Sfidanti.al