“Ujë i ngrohtë dhe i ftohtë” për kombëtaren, fitojmë Abrashin, por humbim Baren për Botërorin!

Njërin e humbasim, por tjetrin e fitojmë. Kombëtarja shqiptare ka dy lajme të kundërt në prag të ndeshjeve eleminatore të Kupës së Botës ndaj Hungarisë e Polonisë. Mesfushori Keidi Bare nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Edi Reja në sfidat e muajit tetor, që mund të jenë vendimtare për shanset tona për kualifikim në fazën finale. Bare pësoi dëmtim në ndeshjen e kaluar të La Ligës në Spanjë, në fitoren e parë që Espanjoli arriti këtë sezon në elitë, në sfidën ndaj Alaveshit. Mediat spanjolle raportojnë se ai nuk do të mund të riaftësohet në kohë, ndërsa ndeshjet e kombëtares janë në datat 9 e 12 tetor.

Gjithsesi, lajmi i mirë është që mesfushori tjetër, Amir Abrashi, është kthyer në fushën e lojës. Veterani nga Kosova pësoi dëmtim në ndeshjen ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena” në 5 shtator, por tashmë kjo gjë është histori. Abrashi u aktivizua për ndeshjen e Superligës së Zvicrës që Grashopersi e luajti në fushën e Luganos, dhe e barazoi 1-1. Ai shprehet se e ndjen veten në formë të mirë dhe se është i gatshëm për ekipin e klubit dhe për kombëtaren. Abrashi është kapiten i Grashopersit, dhe një nga lojtarët më energjikë e luftarakë për zviceranët, por edhe për Shqipërinë.

Sfidanti.al