Napoli nuk është ai i sezonit të kaluar, dhe një trajner shumë i mirë si Sarri edhe mund të rrezikojë në një klub të vështirë, veçse për tifozët shqiptarë lajmet nga “San Paolo” janë shumë të mira. Elseid Hysaj, më në fund, e ka lënë pas nisjen e dobët të sezonit dhe po e bind gjithnjë e më shumë trajnerin e tij.
Ndaj Lacios përfundoi 1-1, veçse mbrojtësi shkodran e pa veten edhe një herë titullar, duke fituar duelin e pozicionit me Kristian Maxhon. Jo vetëm kaq, por ishte këmbëngulës, mbuloi fort në të djathtë, madje ndihmoi edhe sulmin.
Në minutën e 62-të u desh një fluturim i Marketit që Lacio të shpëtonte nga goli i dytë dhe, me shumë gjasa, edhe nga humbja. Për të qetësuar Napolin mendon trajneri Sarri që ka deklaruar se “ne nuk jemi antiJuve”, ndërsa për të qetësuar tifozët shqiptarë dhe trajnerin De Biazi, në prag të duelit të Botërorit ndaj Izraelit, mendon Hysaj. Mbrojtësi premton se nuk do t’i bëjë gabimet ndaj Spanjës.
B. Kuka