Përgatitjet bëhen nën shenjën e fitores, por taktika do të jetë mbrojtëse. Shqipëria do të luajë me pesë lojtarë në prapavijë në “Uembli” ndaj Anglisë dhe kjo duket nga seancat stërvitore të trajnerit Edi Reja. Italiani po mendon për të kthyer skemën e tij klasike 3-5-2, në 5-3-2, për t’u mbrojtur fort e për të kundërsulmuar në sfidën eleminatore të Botërorit këtë të premte. Porta dhe mbrojtja nuk kanë të papritura, duke ditur mungesën e Gjimshitit, me Berishën titullar e kapiten, treshen e qendrës me Ismajlin, Kumbullën e Veselin, dhe me Hysajn e Trashin në krahë. Në mesfushë të sigurt duken Bare e Gjasula, ndërsa balotazhi mbetet mes Bajramit e Çekiçit, edhe pse alternativë është edhe Laçi. Në sulm duket e vendosur dyshja Cikalleshi-Uzuni, me Brojën që do të shihet nëse mund të ulet në stol.
Anglia ka problemet e saj, por potencialin e ka të madh. Trajneri Sauthgejt nxitet që të hedhë në fushë yllin e Sitit, Fil Foden, dhe 18-vjeçarin e Dortmundit, Belingham, ndërsa mungesa ka mjaft. Në mesfushë nuk luajnë Rajs dhe Maunt, Grilisht është në dyshim, e në sulm Rashford mungon. Mediat kritikojnë yjet e tyre si Kejn, Megajer e Stërling, se janë të lodhur pasi arritën finalen e Europianit të humbur ndaj Italisë. Anglia mund të luajë me skemën 3-4-3, por Sauthgejti pavarësisht mungesave ka mjaft alternativa.
Formacioni i mundshëm (5-3-2): Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Trashi, Gjasula, Bare, Bajrami (Çekiçi), Cikalleshi, Uzuni.
Sfidanti.al