De Biazi i jep fund lojës “me të futur”: Iki unë, nuk më heqin!

Loja “me të futur” mori fund. Xhani De Biazi deklaroi sot largimin nga stoli i kombëtares në përfundim të kontratës, në një lëvizje që duket si “parakalim” ndaj presidentit Armand Duka. Duke akuzuar bosin e Federatës për “mungesë besimi ndaj tij”, trajneri italian duket se mezi kishte pritur të thoshte “po iki”, përpara sesa t’i thoshin “largohu”. “Federata duhej të më kishte thënë shumë kohë përpara për rinovimin, jo tani”, – ishte shigjeta e tij.

De Biazi peshoi çdo gjë, nxorri përfundimin se Duka, dhe realizoi një hakmarrje pikërisht në momentin kur doli fitimtar në Izrael. “Në këtë gjendje nuk mund të ketë bisedime për kontratën”, tha Duka përpara ndeshjes, një fjali që përkthehet edhe se “mund të ketë bisedime nëse gjendja përmirësohet”. Tani jo më, dhe është pikërisht De Biazi që mendon se ka thënë fjalën e fundit, jo Duka.

Trajneri rrëfeu se ishte në prag të largimit që pas humbjes në Luksemburg (ku qendroi për 10 minuta në stol në përfundim të ndeshjes, dhe ku nuk hyri fare në dhomat e lojtarëve), por pastaj mblodhi të gjitha forcat për të realizuar sfidën e madhe në Izrael. Fitoren në Haifa ai e konsideroi si një revansh ndaj atyre që nuk besonin tek ai.

Pavarësisht se De Biazi e vlerësoi presidentin Duka që e përzgjodhi në stolin e Shqipërisë dhe për mjaft aspekte pozitive, sërish ai la të nënkuptohej se pati mosmarrëveshje me të, ndoshta në planin njerëzor, më shumë sesa profesional. Po ashtu, italiani u shpreh i pakënaqur për rrogën, duke thënë se “Federata, nëpërmjet meje, realizoi fitime të mëdha duke shkuar në Europian, me kosto të vogël”.

Ai pranoi se edhe ka gabuar në detyrën si trajner i Shqipërisë, por nuk deshi të thoshte rastet kur kishte gabuar. Së fundi, ai e vlerësoi aventurën tek Shqipëria si të shkëlqyer, dhe si më të mirën në karrierën e tij.

Sfidanti.al