Kjo ka qenë shprehja e ndonjë kënge qokatare shqiptare të dikurshme, pra “të dielën u martove, të hënën në punë shkove”, nga ato që pëlqeheshin shumë në sistemin e kaluar. Jurgen Klopi nuk është ndonjë sekretar partie apo kryetar kooperative (shumë prej të cilëve kanë qenë të respektuar), por është trajneri i Liverpulit, dhe një trajner i tillë që nuk kënaqet me pak. Menjëherë pasi skuadra e tij ngriti trofeun e Premier Ligës, të parin në 30 vjet, dhe ndërsa opinionisti Xhemi Karrager (ish-kapiten i të kuqve) e quajti Klopin “gjysmëperëndi”, gjermani nisi të “skiconte” sezonin e ardhshëm. Synimi është të mbrohet titulli, që dihet se do të jetë më e vështirë sesa fitimi i tij.
“Çdo lojtar i rëndësishëm mund të përmirësohet, – nisi ai leksionin, – kështu janë gjërat në këtë profesion. Ata tani janë në një moshë që mund të marrin vendime më të sakta, të jenë më të kthjellët për atë që duhet të bëjnë, dhe të luajnë më mirë në mbrojtje. Ne do të punojmë që të përmirësohemi, edhe me lojtarë si Nabi (Keita) apo Kërtis Xhons”. Klopi, megjithatë, vlerësoi faktin se futbollistët e tij dhanë maksimumin dhe fituan një ndeshje të vështirë si ajo ndaj Çelsit, kur kundërshtari kishte më shumë motivim.
Sfidanti.al