Në stolin e të kuqve arriti një shifër të rëndësishme, dhe po ashtu 100 sfida në Ligën e Kampionëve. Jurgen Klop ende nuk është në krye të trajnerëve pjesëmarrës në Champions, por është duke përparuar dhe këto ndeshje i ka bashkë me ato me Dortmundin. Klopi ka 400 ndeshje në stolin e Liverpulit, një shifër të tillë e kanë arritur edhe Tom Uatson, Bill Shenkli dhe Bob Pejsli. Tekniku i sotëm ka më shumë fitore sesa paraardhësit kur arritën në 400 ndeshje, 244! “Synoj të kem edhe 400 ndeshje të tjera, – tha gjermani, – sa për ndeshjen, do të kisha qenë i lumtur edhe pa golat e shënuar. Ne reaguam siç duhet dhe ishim të bashkuar. Kjo bëri ndryshimin. Ju e patë se çfarë mund të bënte Napoli. Dy goditje standarde na dhanë fitoren dhe 15 pikë në Champions. Kjo është gjë e madhe”.
Sfidanti.al