Egnatia i dha gjithçka për 120 minuta në Norvegji, por aventura në Europa League përfundoi në mënyrën më të hidhur të mundshme. Kampionët e Shqipërisë u mposhtën 2-1 nga Lillestrøm pas kohës shtesë dhe tashmë do të luajnë në fazën e grupeve të Conference League.
Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje me shumë karakter, pavarësisht se pjesa e parë nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Në minutën e 32-të, Egnatia gjeti avantazhin me Soten, i cili shfrytëzoi një goditje këndi për të dërguar topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, skuadra e Nevil Dedes u shfaq më kërkuese dhe krijoi disa mundësi të mira për të dyfishuar avantazhin. Megjithatë, rastet e shpërdoruara u kushtuan shtrenjtë kampionëve shqiptarë, të cilët në minutën e 82-të pësuan golin e barazimit.
Ndeshja shkoi në shtesë dhe, menjëherë pas nisjes së 30 minutave shtesë, Lillestrøm përmbysi gjithçka duke shënuar golin e dytë.
Egnatia tentoi deri në fund të rikthehej në lojë, por rezultati nuk ndryshoi. Kështu, rrogozhinasit i japin lamtumirën Europa League dhe do të vazhdojnë aventurën europiane në Conference League.
Një eliminim që lë padyshim shumë keqardhje, pasi Egnatia, nën drejtimin e Nevil Dedes, tregoi karakter, organizim dhe një paraqitje dinjitoze në një sfidë të luftuar deri në sekondat e fundit.

