Kejn, Ronaldo, Lukaku, ja gara për Këpucën e Artë!

Nuk janë vetëm tre, por këta duken më të fortët. Harri Kejn, Kristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku janë konkurrentët kryesorë në garën për Këpucën e Artë në Kupën e Botës. Një anglez, një portugez dhe një belg, kanë më shumë gola se të tjerët, kur ende nuk janë mbyllur ndeshjet e grupit.

Favorit sipas parashikimeve është kapiteni i Anglisë. Kejn shënoi 3 gola ndaj Panamasë, duke arritur në kuotën e 5 rrjetave, pra më i miri nga të gjithë për momentin. Njëzetekatërvjeçari favorizohet nga fakti se është sulmues tipik i numrit 9, është në formë shumë të mirë, dhe bën pjesë në një skuadër si Anglia, që po quhet pretendente për të ecur larg në Rusi.

Kristiano Ronaldo nuk do të pranonte kurrë të ishte më poshtë, por për momentin duhet të kënaqet si pretendenti numër 2. Superylli portugez ka realizuar 4 herë për kombëtaren e tij, ndërsa pritet të shihet se çfarë do të bëjë sot ndaj Iranit.

I treti në renditjen e parashikuesve është Romelu Lukaku. Belgu është edhe ai në rolin më të përshtatshëm të mundshëm, sulmues, dhe Belgjika po ashtu jepet si pretendente. Lukaku 25-vjeçar po tregon formë të shkëlqyer duke gjetur 4 herë rrugën e rrjetës. Pas tyre, pretendentë për Këpucën e Artë janë Diego Kosta, Nejmar apo Suarez.

Sfidanti.al