Vllaznia sërish me “vallen” e titullit, kur fiton e dominon edhe me 10 vetë …!

Një pjesë e parë e luajtur thuajse me një portë, një aksion i bukur që solli golin pas pushimit, përjashtim i një lojtari dhe inferioritet numerik, por sërish dominim dhe fitore e merituar. Kur kryesuesja e kampionatit, Vllaznia, e bën këtë edhe ndaj ndjekësit më të afërt, Teutës, është krejt normale që futbollistët e saj dhe stafi teknik vazhdojnë të hedhin “vallen e titullit” pas ndeshjes, siç tregon edhe fotoja në dhomën e zhveshjes në “Loro Boriçi”.

Vlonjati Ardit Hoxhaj shënoi golin e vetë, dhe ishte po ai që doli me të kuq, ndërsa shkodranët kanë tani 29 pikë ndaj 20 të durrsakëve. Me gjasë, kundërshtari më i afërt pas javës së 13-të do të jetë Partizani pasi pritet të fitojë ndaj Apolonisë në kryeqytet dhe të ngjitet në 22 pikë. “Jam krenar për skuadrën time, – u shpreh trajneri Brdariç, – një fitore e rëndësishme për Vllazninë dhe qytetin, madje mund të fitonim më thellë. Gjithsesi, nuk dua të flas për kampionatin, ka edhe 23 javë për t’u luajtur”. Prova vjen menjëherë, që në javën e 14-të kur Vllaznia shkon në “Elbasan Arena” për t’u ndeshur me Kukësin, një nga dy ekipet që i kanë shkaktuar atyre humbje këtë sezon.

Sfidanti.al