Largimi i Qatip Osmanit dhe vazhdimi i punës me drejtorin sportiv, Tefik Osmani, duket se i ka larguar nga shkallët edhe ata pak shkodranë që për Vllazninë mund të shkonin deri në marrëzi. Futbolli në kryeqëndrën veriore nuk është thjesht një lojë ndërsa Vllaznia jo thjesht një skuadër por humbja e turpshme 0-4 me Valur është simbol i talljes që po bëhet me këtë markë. Në fakt, mbërritja e Osmanit të Tiranës në Shkodër e shoqëruar edhe nga një takim i ngrohtë me shefin e federatës që dukej sikur dha bekimin për atë “martesë”, nuk u prit aspak me buzëqeshje nga tifozët evërtetë të Vllaznisë, të cilët nuk janë zgjuar aspak të habitur apo mërzitur për atë eleminim të turoshëm nga Europa. Në qytet, të gjithë janë pothuajse në një mendje e njëzëri por nën zë e pranojnë që kjo humbje ishte e pashmangshme në rrugën e skuadrës së tyre të zemrës për arsye që është më e lehtë të kuptohen pa i analizuar. Dalëngadalë, Vllaznia po humbet çdo kontakt besimi e dashurie me njerëzit, të cilët kanë qenë pika më e fortë e këtij klubi edhe në ditë të vështira si ato të Kategorisë së Parë dhe humbja e mes-gushtit me Valur duket se e ka prishur edhe atë besim të ndërtuar në pasionin që kishte tirozeria për t’i besuar deri në verbëri kësaj skuadre. Qatip Osmani u largua me shumë hatërmbetje duke lënë shumë pikëpyetje pas, por sot çdo gjë është e qartë…
Nga Pirro Bardhyli