Frika ishte e madhe për ndonjë dështim, kur ekipi doli në fushë. Gjithsesi, përtej kritikave për klubin dhe kaosit në Bashkinë e Shkodrës, Vllaznia nderoi emrin e saj në ndeshjen e parë të rikthimit në Superligë. Nuk pati përballë ndonjë kundërshtar dosido, por Laçin, një nga ekipet më të mirë të sezonit të kaluar dhe pjesëmarrës në Ligën e Europës, veçse djemtë e drejtuar nga Mirsad Jonuzi, thuajse u dhanë një leksion atyre të mjeshtrit Sulejman Starova.
Një pjesë e parë e interpretuar shumë mirë nga shkodranët që krijuan rast pas rasti, duke luftuar me më shumë dëshirë në fushën e “Loro Boriçit, si për të thënë se edhe kur punët nuk u shkojnë mirë, ata mbeten djepi i futbollit shqiptar. Sidoqoftë, u desh një gol i veçantë i brazilianit Hygor, pikërisht në minutën e fundit, që të mposhtej portieri i kurbinasve, moldavi Stazhilla.
Pesëmbëdhjetë minutat e pushimit nuk i mjaftuan Laçit për të mbledhur veten, pasi Vllaznia mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, por megjithatë kur ekipi i Starovës doli në lojën e tij, krijoi panik në “Loro Boriçi”. Redon Xhixha u bë heroi i rasteve të humbura, ndërsa portieri Sherri dhe fati ndihmuan vendasit.
Çfarë mund të thuhet për skuadrën më të vjetër të Shqipërisë pas kësaj fitoreje? Me shumë shkodranë e disa të huaj në përbërje mund të paraqitet mirë, gjithnjë nëse nuk pengohet nga ndërhyrjet e së kaluarës nga jashtë ekipit. Është vetëm java e parë e kampionatit dhe gjithçka mund të ndodhë në vazhdim.
Sfidanti.al