Dominimi ishte sërish absolut dhe në fanelë do të vendoset një yll. Vllaznia është sërish kampione e Shqipërisë në futboll për femra, duke fituar titullin pas një edicioni triumfal. Suksesi 3-0 ndaj Tiranës në “Loro Boriçi” i dha fund një kampionati ku vajzat kuqeblu i bënë të vetat që të gjitha ndeshjet, plot 18, duke grumbulluar 54 pikë. Asnjë humbje, dhe asnjë barazim. Në sfidën ndaj rivalit kryeqytetas golat u shënuan nga Doçi, Gjergji dhe Berisha. Skuadra e trajnerit Nikolin Leka, dhe e klubit të drejtuar nga presidenti Lazër Matija, këtë sezon vendosi edhe rekordin duke u bërë e para në futbollin shqiptar, për meshkuj e për femra, që arrin në fazën e grupeve të Championsit, duke u përballur në elitë me Çelsin, Realin e Madridit dhe Paris SG. Ky ishte titulli i 10-të radhazi për Vllazninë, në një traditë që shpërblehet me vendosjen e yllit në fanelë. Tirana dhe Apolonia u përpoqën që të rivalizonin, por këtë vit nuk patën sukses, ndoshta mund t’ia dalin në të ardhmen.
Sfidanti.al