Vazhdon festa e barazimeve në Superligë, 1-1 edhe Dinamo-Partizani!

Që nga data 12 shtator e deri tani, në Superligën shqiptare plot 10 ndeshje kanë përfunduar në barazim, nga 13 gjithsej. Jo vetëm kaq, por shifrat 1-1 në “Elbasan Arena” në derbin e kryeqytetit mes Dinamos e Partizanit, ishin barazimi i gjashtë radhazi, ndërsa suksesi i fundit është ai 3-1 i Kukësit ndaj Kastriotit në 19 shtator, me një pjesë të dytë ku krutanët harruan të luanin dhe nuk morën asnjë karton të verdhë. Tetë nga 10 barazimet janë 1-1. Duke u kthyer tek derbi, Agim Ibraimi kaloi në epërsi Dinamon në 15’, ndërsa “nëndetësja” mbeti me 10 lojtarë gjatë gjithë pjesës së dytë. Partizani arriti të barazonte me shumë vështirësi, pavarësisht epërsisë, madje iu desh një penallti e fituar nga Tedi Cara dhe kthyer saktë në gol nga Stenjo Zhunior. Partizani pati shumë më tepër raste, por sidomos kjo ndodhi në pjesën e dytë kur Shofranac doli me karton të kuq për Dinamon. Cara ishte njeriu kryesor që pati mundësinë për të shënuar, por shumë herë u ndal nga portieri i bluve, Harizaj. Dinamo ka 6 pikë në 4 ndeshje (1 fitore, 3 barazime), ndërsa Partizani ka 3 pikë.

Sfidanti.al