U rrofshin dënimet dhe tryezat kundër dhunës, ultrasit ia bëjnë “fora” sa herë duan!

Nuk ka asnjë lloj rëndësie se ku luhet. Një derbi mes Partizanit e Tiranës e anasjelltas është kthyer në një makth për klubet, tifozët normalë, drejtuesit e futbollit si dhe policinë e shtetit. Shpërthimi i fundit ndodhi në “Elbasan Arenë” të shtunën e kaluar, në fitoren 2-1 të bardhebluve që u dha matematikisht titullin e 26-të kampion. Gjithsesi, nuk qe e thënë të festohej siç duhet pasi tifozët e Partizanit shkaktuan dëme të mëdha duke thyer stola. Edhe ultrasit tiranas nuk deshën të mbeten prapa, ndonëse thjesht hodhën sende të forta në fushë. Për këtë arsye, Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, dënoi Partizanit me 100 000 lekë të reja gjobë, me detyrimin për të shlyer dëmet në stadium, si dhe me 4 ndeshje pa spektatorë, nga të cilat 2 janë me kusht, pra nëse dhuna përsëritet. Drejtori sportiv i të kuqve, Olsi Rama, u gjobit me 50 000 lekë pasi akuzoi arbitrat dhe VAR-in.

Tirana nga ana e saj u ndëshkua me 200 000 lekë gjobë. Kjo ishte hera e parë e dhunës në Elbasan, ndërsa në kryeqytet ka ndodhur rëndom. Pa dallim, në “Arenën Air Albania” apo në “Selman Stërmasi”, ultrasit kanë gjetur mënyrën për të prishur imazhin e për të rënë në sy. Pikërisht duke marrë shkas nga dhuna në stadiume, e konkretisht nga ajo që ndodhi në ndeshjen Kamza-Laçi si dhe në problemet nëpër derbi, u mbajt në mars 2019 edhe tryeza e përbashkët e qeverisë dhe e futbollit për t’i shpallur luftë fenomenit. U ashpërsuan masat, me dënime me burg e përjashtime nga stadiumi, por stadiumi ende shpesh nuk është një vend për familjarët.

Sfidanti.al