Tirana vrapon drejt titullit me golat në fund, Vllaznia turpërohet!

Nuk thuhet kot se është karakteri që vendos. Kështu edhe në futboll dhe Tirana duket skuadra me personalitetin më të fortë në Abisnet Superligë. Fitoi sërish në sekondat e fundit duke ruajtur diferencën 5-pikëshe me Partizanin ndjekës. Kastrioti u mposht 1-0 në “Elbasan Arenë” me golin e shënuar nga Hila në minutën e parë shtesë, sukses që i ngjau atij po 1-0 në fushën e Kastriotit arritur pas 9 minutave shtesë. Ndeshja ishte e fortë dhe me raste për shënim për të dyja skuadrat, ndërsa krutanët patën edhe dy lojtarë të përjashtuar me kartonë të kuq. Fillimisht, Karakaçi një minutë përpara sesa Tirana të shënonte, dhe pas golit edhe Selmani. Tirana mban kreun dhe shkon drejt titullit, ndërsa Kastrioti shkon drejt rënies nga kategoria.

Ndërkaq, një turpërim i vërtetë për vendasit ndodhi në Shkodër. Vllaznia u mund 0-4 në “Loro Boriçi” nga Egnatia. Skuadra rrogozhinase arriti rezultatin më të madh në të gjithë historinë e klubit, duke triumfuar thellë në fushën e atyre që sollën futbollin në Shqipëri. Mëllugja, Fuamena, Fernando dhe Xhekson ishin autorët e golave. Egnatia mban vendin e tretë dhe zbret Vllazninë në të pestin, të kaluar tani edhe nga Laçi, e duket se shkodranët do të kërkojnë Europën nga Kupa e Shqipërisë, ku gjithashtu janë përballë Egnatias ndaj së cilës mezi barazuan në Shkodër.

Sfidanti.al