Mançester Siti në krye të Premier Ligës, Halandi barazon rekordin e golave!

Ishte suksesi i konfirmimit, edhe pse gara vazhdon. Mançester Siti u ngjit në krye të Premier Ligës me fitoren 2-1 në fushën e Fulhamit, ndonëse vendasit i krijuan të gjitha llojet e problemeve skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola. Pasi Erling Halandi shënoi me penallti dhe barazoi rekordin e golave të Premier Ligës me 34, Fulhami barazoi me anë të Karlos Vinisiusit. Gjithsesi, cilësia më e madhe e kampionëve në fuqi të Anglisë bëri diferencën dhe sulmuesi argjentinas, Hulian Alvarez, realizoi golin që vulosi rezultatin. Përtej vështirësive në stadiumin “Kraven Kotixh”, Siti u mbajt deri në fund duke kaluar Arsenalin për të qenë tani në vend të parë.

Të mbiquajturit “qytetarët” kanë 76 pikë ndaj 75 të londinezëve, madje duke pasur një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Kjo do të thotë se shanset për të mbrojtur titullin e fituar vjet janë rritur ndjeshëm dhe se Siti e ka fatin e tij në duart e veta. Kur i mbeten edhe 6 ndeshje për të luajtur, kampionët do të përqëndrohen tek gjysmëfinalja e Championsit ndaj Realit të Madridit, ndonëse Halandi do të dojë ta thyejë rekordin e golave në Premier Ligë.

Sfidanti.al