Tirana-Teuta, barazim 0-0 nga mesi i … errësirës!

Një titull i një filmi shqiptar ka qenë si pjesa e dytë e titullit të shkrimit, dhe në derbin mes dy qyteteve të afërta më shumë doli fituese pikërisht errësira. Plot 40 minuta defekt në “Selman Stërmasi” për Tirana-Teuta, diçka që padyshim mund të ndodhë, dhe që e shtyu mjaft pjesën e parë. Edhe kur energjia erdhi, ndriçimi nuk ishte i plotë pasi avaria nuk u rregullua plotësisht.

Dueli i parë i javës së dytë të Superligës ishte i fortë, me raste dhe raste për diskutim, por jo me gola. Kryeqytetasit goditën dy herë shtyllën me Ngonë dhe Hasanin, por në përfundim u detyruan të përballen me pakënaqësinë e tifozëve, që nuk ishin edhe aq të paktë në stadium dhe që shpresonin fitore, për vetë bujën e përforcimeve bardheblu të kësaj vere.

Tirana pati lojtarë me emër në përbërje si Osmani, Hoxhallari, Hasani, Batha, Kale, Kobina apo Ngo, ndërsa më pas u aktivizua edhe Dunga. Durrsakët iu përgjigjën me një formacion më modest, të paktën në pamje të parë, por mjaft të organizuar ku spikatën Todorovski, Arapi, Hoxha, Vila, Vecaj apo Kallaku. Një barazim që kënaq më shumë miqtë, ndërsa dy skuadrat kanë nga 4 pikë pas dy ndeshjeve të para të kampionatit.

Sfidanti.al