Largimi i Tefik Osmanit, njeriut më të afërt të presidentit Refik Halili tregon shumë për situatën në klubin më të titulluar të vendit. Bllokimi i merkatos për tre sezone, shkarkimi i trajnerit më jetëgjatë, Orges Shehi dhe rezultatet jo shumë pozitive të 12 javëve kampionat, janë pasqyrë e gjendjes së Tiranës që në pamje të parë duket një klub i shëndetshëm dhe i suksesshëm duke na dhënë një fasadë e cila në asnjë rrethanë nuk reflekton tensionin dhe problemet e brendshme në klub.
Momentalisht bardheblutë kanë një hap më të vogël në fushë se rivalët e tyre, Partizani, ndërsa me bllokimin e merkatos për shkak të borxheve ata kanë mundësi vetëm të shesin por jo të blejnë lojtarë. Çfarë ka ndodhur me të “përkëdhelurin” e Refik Halilit gjatë ditëve të fundit? Klubi nuk qartëson asgjë e me shumë gjasa Osmani do të vazhdojë të mbetet besnik në qëndrimet publike duke mos zbadhur asgjë por krisja duket e qartë dhe për të disatën herë, presidenti duket se ka prishur me duart e tij një lodër të bukur e të suksesshme.
Nga Pirro Bardhyli