Tirana marshon drejt titullit, por e papritura e javës e ka emrin Partizan!

Ishte javë e golave, dhe e një konfirmimi të madh. Tirana nuk po e ndal hapin në Abisnet Superligë, duke arritur një tjetër fitore. Kundër Skënderbeut nuk ishte një triumf i madh siç ndodhi ndaj Kukësit, pasi shifrat nuk ishin 4-0, veçse 3-2, por gjithsesi ishin tri pike të tjera. Marshimi në krye vazhdon dhe skuadra e trajnerit Orges Shehi ka 43 pikë ndaj 34 të Laçit, ndonëse kurbinasit ende nuk kanë luajtur. Seferi, Limaj e Da Siva shënuan për vendasit në “Air Albania”, ndërsa korçarët reaguan pas pushimit me anë të Zguros e Mensahut.

Gjithsesi, e papritura e javës ishte Partizani. Të kuqtë u dukën në stadiumin “Niko Dovana” krejt ndryshe nga sa kanë qenë këtë edicion. Fitorja 4-0 kundër Teutës vendase, kampione në fuqi të Shqipërisë, ishte diçka aspak e zakonshme për kryeqytetasit që zhgënjyen më parë ndaj Kastriotit e Laçit. Në 18 ndeshje Partizani kishte shënuar 18 gola, në vetëm një realizoi katër me autorë  Skukën, Carën, Sotën dhe Stenjo Zhuniorin. Shpresat për Europën ende ekzistojnë, por trajneri Mehmeti tha se kthesa nuk vjen vetëm me një fitore.

Nga ana tjetër, Dinamo as nuk ka ndërmend ta nisë kthesën e saj. Blutë pësuan një humbje të merituar në Kamzë ndaj Kastriotit, 0-2, edhe pse luajtën më mirë në pjesën e parë. Pas pushimit, ekipi i trajnerit Shkëmbi u shpërfytyrua dhe krutanët shënuan me heroin Greca, autor i të dyja rrjetave. Kjo humbje bën që Dinamo me 19 pikë të rrezikojë Superligën, pasi Kastrioti ka 15, ndërsa Skënderbeu dhe Egnatia nga 16 pikë.

Sfidanti.al