Tifozët bardheblu, si të gjithë tifozët e kësaj bote, shpërthyen në akuza dhe sulme ndaj ekipit të tyre të zemrës, ndonëse këtë sezon i ka kënaqur sa më s’ka. Përse kështu? Sepse për herë të dytë radhazi në këtë kampionat, humbi ndaj Kastriotit, dhe e bëri në të njëjtën mënyrë, thuajse pa luftuar fare e thuajse pa gjuajtur fare në portë. Për ata që e njohin mentalitetin e Tiranës, që e dinë se në këtë skuadër “dalin xixa” edhe në ndeshjet përgatitore brenda ekipit, kjo është një shenjë shumë domethënëse. Bardheblutë, mesa duket paskan një dobësi të veçantë këtë edicion, dhe kjo dobësi e ka emrin Kastrioti. Pas humbjes me lojë së pari e me rezultat në Kamzë, 1-2 një fazë më parë, kryeqytetasit pësuan disfatë në “Selman Stërmasi”, ndonëse trajneri Shehi gjeti një “aleat” duke ia vënë fajin fushës së keqe. Kur luan Tirana me Kastriotin luhet një “film” që ne e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe që ndikon direkt në kampionat. Një ditë më parë, Zhoze Murinjo u shpreh se “kam dëshirë që ta fitojë titullin Interi”, por këtë e bëri pasi mbaroi ndeshjet edhe ndaj Interit, edhe ndaj Milanit, Napolit apo Juventusit. Tek Tirana ndoshta e kanë me zemër që “ishallah” mbijeton Kastrioti”, por ndërkohë që kështu nuk kanë bërë me ekipet e tjerë që janë në këtë luftë.
Sfidanti.al