Bajerni shton rekordet, por është larg Skontos së Rigës apo Verakruzit!

Një seri e tillë nuk është parë kurrë në ligat e mëdha. Dakord, Juventusi arriti në 9 tituj radhazi në Serinë A, por ja tani Bajerni e kalon duke fituar të 10-in. Në Gjermani e kanë harruar tashmë se kush është kampioni i fundit përpara bavarezëve. Ka qenë pikërisht rivali i kësaj fundjave, Dortmundi në 2012 kur drejtohej nga trajneri Jurgen Klop. Titulli u fitua zyrtarisht me suksesin 3-1 ndaj Borusias në “Alianc Arenë”, me golat e shënuar nga Serg Gnabri, Robert Levandovski dhe Xhamal Musiala. Emre Xhan ngushtoi shifrat përkohësisht në 1-2 për miqtë. Skuadra e trajnerit Julian Nagelsman u dha më në fund tifozëve diçka për t’u gëzuar, edhe pse kjo rutinë vetvetiu i ka ulur emocionet. Që Bajerni të fitojë Bundesligën kjo tashmë nënkuptohet vetvetiu. Nuk besohet se “pjata” e titullit do të mjaftojë për të shuar zhgënjimin e madh të eliminimit në çerekfinale të Championsit nga Vijarreali.

Gjithsesi, suksesi është i rallë, pasi 10 tituj radhazi nuk i ka arritur askush tjetër në ligat e mëdha në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani e Francë, ndonëse në kampionate më të vegjël ka shembuj si Dinamo e Berlinit në ish-Gjermaninë Lindore, Dinamo e Tbilisit në Gjeorgji apo Sherifi i Tiraspolit në Moldavi. Gjithsesi, rekordi në Europë mbahet nga Skonto e Rigës në Letoni me 14 tituj radhazi, dhe rekordi botëror i përket meksikanëve të Verakruzit me plot 24. Bajerni arriti në 75 pikë ndaj 63 të Dortmundit kur duhen edhe 3 javë deri në përfundim të kampionatit. Mbetet të fiksohet shifra e 100 golave këtë sezon të Bundesligës, e për këtë duhen shënuar 8 në sfidat e mbetura.

Sfidanti.al