Flitet për derbi dhe nuk duan shpërqëndrime. Tirana ka histori të mirë kohët e fundit në përballjet me Partizanin, aq sa edhe titullin e fundit kampion, atë që është në fuqi, e fitoi pikërisht në këtë sfidë në “Elbasan Arenë”. Gjithsesi, presioni pritet të jetë si gjithmonë i madh, ndërsa rivaliteti me të kuqtë është ashpërsuar në këtë fillim sezoni. Për këtë arsye, klubi bardheblu ka vendosur heshtje shtypi gjatë gjithë kësaj jave, deri ditën e derbit. Njoftimi është që nuk do të ketë deklarata apo intervista për shtyp, dhe se seancat stërvitore do të jenë të mbyllura deri në 1 tetor. Një izolim i tillë pritet të japë efekt ndërsa Partizani kryeson renditjen e Abisnet Superligës me 12 pikë, 4 më shumë sesa Tirana. Besohet se komunikimi i vetëm për mediat do të jetë të shtunën, në prag të derbit, kur të jetë konferenca e trajnerit Orges Shehi. Partizani, ndërkaq, nuk ka bërë njoftim për një izolim të tillë, ndërsa të kuqtë e kanë bërë traditë këtë sezon që të mërkurën është ditë e hapur për mediat, ku një lojtar flet për gazetarët, përveç konferencës së trajnerit Kolela. Derbi i kryeqytetit mes Partizanit e Tiranës do të luhet në “Arenën Air Albania” në 2 tetor në orën 19:00.
Sfidanti.al