Trofe janë fituar, por jo titull. Në Shkodër duan që kjo traditë aspak e mirë të ndryshojë dhe që Vllaznia ta marrë më në fund kampionatin pas plot 22 viteve. Fitorja 2-0 ndaj Kukësit la pas një periudhë të vështirë, duke kthyer shpresën, dhe tifozët e ndjenë për detyrë që të nxisin ekipin e zemrës përpara një finaleje të vërtetë. Kuqeblutë presin Tiranën në “Loro Boriçi” sot në orën 16:00, dhe përkrahësit shkodranë u grumbulluan përpara hotelin ku ishte vendosur Vllaznia duke brohoritur gjatë. Kërkesa kryesore ishte “duam fitore”, apo siç e thonë në Shkodër, “dona fitore”. Tifozët janë të kënaqur nga paraqitja e skuadrës ndonëse ka pasur luhatje në disa ndeshje.
Sukseset kundër Partizanit, Laçit e së fundmi Kukësit kanë dhënë shpresë, ndërsa një fitore ndaj Tiranës do të bënte që diferenca me vendin e parë të zbriste në vetëm tri pikë. Besimi i shkodranëve vjen edhe nga fakti se kundër bardhebluve këtë sezon ka pasur një fitore e një barazim, madje brenda në kryeqytet. Ndërkaq, trajneri Mirel Josa, ka kërkuar që lojtarët e tij ta konsiderojnë derbin si një luftë. Edhe Tirana vjen me pretendime në Shkodër ku normalisht është paraqitur mirë, ndërsa kryeson Abisnet Superligën me 37 pikë ndaj 31 të Vllaznisë e Partizanit.
Sfidanti.al