Tifozët e Tiranës marrin një lajm të mirë dhe një të keq!

Tirana do të ndihmohet konkretisht për shlyerjen e borxheve, dhe ky është lajmi i mirë për tifozët bardheblu. Nga ana tjetër, skuadra e trajnerit Josa vazhdon të mos fitojë në fushën e lojës, dhe ky është një lajm shumë i keq dhe tashmë serial. Edhe pse luajti ndaj një ekipi të Kategorisë së Parë, edhe pse luajti në fushë asnjanëse si ajo e Kukësit, sërish Tirana nuk e theu dot Besëlidhjen e Lezhës, në një përballje që përfundoi 1-1 në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Për fat, ndeshja e dytë do të luhet në “Selman Stërmasi” dhe tiranasit janë favoritë për të arritur finalen e parë të Kupës që nga viti 2012. Të paktën, për kaq ia vlejti goli i Merveilit në 60’, ndonëse u barazua nga Marashi në 68’. Është frika nëse ekipi kryeqytetas do ta shfrytëzojë epërsinë e faktorit fushë për të arritur më në fund një fitore, ndonëse ka gati 3 muaj që nuk ia del.

Për lajmin e mirë, tifozët duhet të jenë më të sigurt. Ndoshta ata nuk e kanë shumë me qejf kryetarin e Bashkisë, Erion Veliajn, por besohet se ky i fundit do ta mbajë fjalën për të shlyer gjysmën e borxhit. Detyrimi total i presidentit Halili është 40 milionë lekë të reja, dhe Bashkia do të paguajë 50 për qind, pra 20 milionë, para që për fat të keq do të dalin nga xhepat e qytetarëve që paguajnë taksat. Në një farë mënyre, do të jenë edhe tifozët e Tiranës që do të shlyejnë një pjesë të borxhit të klubit të tyre.

Sfidanti.al