Në tribuna ndodhi gjithçka, ndërsa në fushë nuk ngjau ajo për të cilën luhet futbolli. Përfundoi pa gola derbi i kryeqytetit në Abisnet Superligë, me Tiranën e Partizanin që ndanë nga një pikë, ndërsa tifozët bënë shumë më tepër sesa lojtarët. Hedhje fishekzjarresh, rrezikim të futbollistëve dhe shkatërrim të stolave dhe hedhje në fushë. Në shkallët e “Arenës Air Albania” derbin e fituan tifozët e kuq, por në atë mënyrë që ndërprenë ndeshjen dy-tri herë dhe që do ta detyrojnë klubin e tyre që të paguajnë një gjobë të madhe, si dhe dëmet në stadium. Gjithsesi, këto janë çështje të komisioneve në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa përsa i përket derbit të luajtur, Tirana ishte më lart.
Sidomos në 45 minutat e para, kryesuesit e kampionatit dominuan me lojë e me raste, por u mungoi saktësia para portës, ndërsa të kuqtë të paktën u mbrojtën fort. Ekipi i trajnerit Orges Shehi pretendoi edhe për penallti në fund të pjesës së parë, dhe pamjet me përsëritje tregojnë se patën të drejtë. Matondo e preku këmbën e Xhixhës, por arbitri Xhaja nuk dha 11-metërsh. Shpenzimi i madh i energjive në gati 55 minuta bëri që bardheblutë ta ulnin ritmin më pas, ndërsa Partizani reagoi falë edhe zëvendësimeve të trajnerit Dritan Mehmeti.
Aktivizimi i Carës ndihmoi dhe të kuqtë u treguan më shumë të rrezikshëm më pas. Gjithsesi, edhe pse humbën rastin më të pabesueshëm me Stenjo Zhuniorin, sërish fitoren nuk e meritonin. Çfarë do të thotë ky barazim për vazhdimin e sezonit? Partizani nuk humbi këtë herë siç ndodhi në dy derbit e kaluar, dhe moralin e ka më të lartë për t’u kualifikuar në kupat e Europës. Tirana nuk zhgënjeu dhe pavarësisht se çdo të bëjë Laçi, mbetet e shkëputur në krye dhe favorite për titullin.
Sfidanti.al