Ashtu siç pritej, nisi me një sfidë të fortë sezoni i ri i Superligës, por siç ndodh shpesh, Partizani bie pre e nervave të dobëta. Nëse sezonin e kaluar humbi titullin edhe pse fitoi në Durrës me Teutën, por gaboi në shtëpi me Vllazninë, këtë herë e pësoi 1-0 që në start. Përballë në “Elbasan Arena” pati pikërisht Teutën, dhe durrsakët fituan edhe pse të kuqtë patën një ndihmë (të merituar) nga VAR-i. Kampionët shënuan shpejt pas gabimit të portierit Alban Hoxha, dhe ndonëse kryeqytetasit patën epërsi dhe e kërkuan golin gjatë gjithë kohës, nuk ia dolën të barazonin. Madje, edhe kur iu dha një penallti në nisje të pjesës së dytë, kur minuta e 55-të u bë historike sepse në Superligë u përdor për herë të parë teknologjia VAR. Për fat të keq, Stenjo Zhunior gaboi dhe ekipi i trajnerit Ilir Daja nuk i mori dot frytet e lojës që zhvilloi. Duket se me aq shumë ndryshime, të kuqtë kanë nevojë të krijojnë mekanizma të reja të lojës, ndërsa Teuta duket e hidhur, pragmatiste sepse di të shfrytëzojë gabimet e kundërshtarëve, siç e bëri shumë mirë në finalen e Superkupës ndaj Vllaznisë që e fitoi 3-0.
Sfidanti.al