Barazimi i tretë radhazi 0-0 i Skënderbeut, që mbetet përkohësisht në krye të Superligës, meqë Kukësi nuk e ka luajtur ende ndeshjen e tij. Kampionët në fuqi patën epërsi në stadiumin “Niko Dovana” ndaj Teutës, por humbën raste dhe goditën shtyllën, pra nuk patën fat. Kjo falë një përbërjeje më të mirë sesa durrsakët, me lojtarë cilësorë në fushë si Salihi, Xhejms, Latifi, Orelesi, Lilaj, Jashanica, Vangjeli apo Nimaga. Salihi pati dy raste të mirë në pjesën e parë, Xhejms një rast dhe një goditje shtylle në të dytën, dhe po ashtu Latifi iu afrua golit, por pa rezultat.
Teuta e trajnerit Magani bëri maksimumin për të ndalur kampionët dhe ia doli, duke rrezikuar vetëm në fillim. Ky rezultat bën që Skënderbeu të ketë tani 29 pikë pas 15 ndeshjeve, me vetëm 13 gola të shënuar, ndërsa Kukësi ka 28 dhe nesër pret Flamurtarin në stadiumin e tij “Zeqir Ymeri”. Skuadra e trajnerit Gjoka ka një shans të madh për të dalë e vetme në krye të Superligës, ndërsa Skënderbeu duket ende larg atij të sezoneve të kaluar, ndoshta duke ndjerë edhe peshën e skandalit të basteve, që ende nuk qenka mbyllur.