Karl-Hajnc Rumenige shprehet i kënaqur për sezonin e Bajernit, dhe flet edhe për shortin e mundshëm të Ligës së Kampionëve që hidhet të hënën. Njëri nga krerët e klubit bavarez (tashmë president është Hënesi), thekson se vendi i dytë në kampionat dhe në grupin e Champions League-s nuk është gjë e mirë, por as një e keqe pa ndreqje. “Në Champions ishim pranë vendit të parë dhe gabuam vetëm një ndeshje, atë në Rostov, – shprehet ai, – gjëra që ndodhin. Diferenca në short nuk pritet të jetë e madhe”.
Duke vlerësuar kundërshtarët, ai u pyet nga mediat italiane për Napolin dhe Juventusin. “Napoli nuk duhet të nënvleftësohet, pasi është ekip i fortë, – u shpreh “Kalle”, – Juventusin e njohim, jemi ndeshur shpesh me të, kemi dalë mirë dhe keq”. Rumenige beson se kampionia e Italisë mund të luajë për revansh pas dy eleminimeve të fundit, por këshillon se “nëse mendon vetëm për hakmarrje, mund të jesh shumë i ngarkuar emocionalisht dhe mund të humbasësh”. Bajerni mund të ndeshet në Champions edhe me Barcelonën që gjithashtu përfundoi e para në grup, ndërsa në Bundesligë duhet të përballojë konkurrencën e Lajpcigut, që për momentin është në krye.